Didier Drogba është zyrtarisht një lojtar i Gallatasarajit dhe mund të debutojë shumë shpejt me fanellën e klubit të Stambollit, ndoshta që në ndeshjen e kampionatit që luhet të premten. Transferimi i tij ishte vënë në dyshim pasi klubi i Shangai Shenhua kishte bërë ankesë në FIFA duke kërkuar ndalimin e një transferimi të tillë.
Por institucioni që drejton futbollin botëror, ka autorizuar lëshimin e një licence të përkohshme për të luajtur në Turqi për lojtarin, derisa të zgjidhet kjo çështje. Lajmi është mirëpritur nga klubi turk që ka lajmëruar menjëherë se “licenca e përkohshme ishte gati që tani në zyrat e Federatës Turke”.
Klubi kinez ka paralajmëruar se do ta ndjekë këtë çështje edhe në vazhdim, pasi pretendon se Gallatasaraj duhet të paguajë për aktivizimin e Drogba, për sa kohë që ky i fundit ka ende një kontratë vlefshme me skuadrën e Shangait.
Por sipas shtypit turk, lojtari ka vendosur të lëvizë drejt një skuadre tjetër pasi e cilëson veten një futbollist të lirë. Kjo vjen për arsye se klubi kinez ka thyer një nga kushtet në kontratë, duke mos i paguar atij tre muaj rrogë.
Dogra firmosi një kontratë prej 1 viti e gjysmë më Gallatasarajin, nga e cila do të përfitojë 10 milion euro në total dhe 15 mijë euro për çdo ndeshje që do të aktivizohet. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 February 2013 18:01