FIFA ka ngritur një Komitet Emergjence për Bosnjë-Hercegovinën, për të zgjidhur problemet që ka Federata e saj dhe që çuan në pezullimin e futbollit të këtij vendi nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.
Institucioni qendror i futbollit botëror ka vendosur ngritjen e një komiteti prej 6 vetash, të gjithë personalitete të futbollit boshnjak, të cilët do të kenë të drejtën të negociojnë për zgjidhjen e problemeve.
Ky organ do të funksionojë si Komiteti Ekzekutiv i Federatës Boshnjake dhe do të ketë disa detyra. Si fillim ai duhet të mbledhë një Asamble të Përgjithshme, në të cilën delegatët duhet të përshtasin statutin me atë të FIFA-s dhe UEFA-s deri më 26 maj.
Hapi i dytë do të jetë sigurimi i lidhjeve me çdo anëtar apo ish-anëtar të lidershipit të Federatës së Bosnjes, duke ndërtuar një “hartë” për rrugën që duhet të ndjekin organet drejtuese në futbollin e këtij vendi deri në Asamble. Por, FIFA i ka kushtuar një çështje të veçantë anës financiare, me qëllim përmirësimin e situatës në arkat e Federatës Boshnjake, që mbetet një nga më të varfrat e futbollit botëror. Madje, ajo është në borxhe dhe sipas FIFA-s, duhet t’i paguajë ato në kohë dhe në mënyrë transparente.
Veç kësaj, Federata Boshnjake, në përputhje me statutin e ri, duhet të zhvillojë zgjedhjet e reja deri në 30 nëntor 2011, me qëllim zgjedhjen e organeve të reja drejtuese. Një tjetër detyrë e Komitetit është ajo për rritjen e cilësisë së administratës në Federatën Boshnjake.
Që prej 1 prillit, Bosnja është pezulluar nga FIFA dhe UEFA. Në këtë status, ajo nuk mund të luajë me Rumaninë më 3 qershor dhe me Shqipërinë më 7 qershor. FIFA ka kërkuar unifikimin e presidencës së Federatës dhe përshtatjen e statutit me të sajin.
Thursday, 14 April 2011 08:32