Kërkesa e klubeve kosovare për të qenë pjesë e Kategorisë Superiore është hedhur përfundimisht poshtë nga FIFA.
Propozimi i bërë nga KF Prishtina për të marrë pjesë në Kategorinë Superiore u pranua parimisht nga Komitet Ekzekutiv i FSHF-së. Megjithatë, u bë e qartë se më parë duhej leja e FIFA-s, si i vetmi autoritet që ka të drejtë të zyrtarizojë një bashkëpunim të tillë “ndërkombëtar”.
Por dje, në zyrat e FSHF ka mbërritur një letër drejtuar presientit Armand Duka, ku sqarohet se ideja e një kampionati mbarëkombëtar është e pamundur për sa kohë që Kosova nuk është anëtare me të drejta të plota të FIFA-s.
Në këtë mënyrë, hyn në fuqi neni 79 dhe 80 i statutit së FIFA-s, që bën të pamundur aktivizimin e klubeve kosovare në kampionatin shqiptar.
Si rrjedhojë, futbolli kosovar vazhdon të jetojë i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Të vetmet përjashtime bëhen përsa i përket transferimeve ndërkombëtare të futbollistëve, ku Kosova ka tashmë kodin e sa personal në FIFA, për të mundësuar transferimet në sistemin online TMS. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 January 2012 18:00