FIFA ka gjobitur menaxherin e njohur Mino Raiola, i cili përfaqëson futbollistë të njohur si Zlatan Ibrahimoviç, Mario Baloteli e Robinjo, për komentet fyese në adresë të Sep Blater dhe Mishel Platini.
Raiola i është referuar presidentit të FIFA-s si një “diktator i çmendur” ndërsa e quajti Platini “një bos i mafias”. Gjithashtu, ai nuk ngurroi të vinte në diskutim procesin e votimit për trofeun e “Topit të Artë”, duke pretenduar se Zlatan Ibrahimoviç ishte lojtari që e meritonte më shumë atë.
Vendimi i FIFA-s detyron Raiolën që të paguajë një gjobë prej 5 mijë frangash zvicerane si dhe shpenzimet disiplinore për shumën prej 1 mijë frangash zvicerane.
Tani pritet të mësohet se si do të reagojë menaxheri i famshëm italian, i cili nuk kursehet kur bëhet fjalë për të kritikuar individë të veçantë apo skuadra, duke qenë i ndërgjegjshëm se sido që të shkojë situata, do të mbetet një nga menaxherët më të kërkuar në tregun e futbollistëve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 April 2013 10:07