Sër Aleks Ferguson e cilëson veten një fenomen, por ka pranuar se kohët e fundit është zbutur paksa për t’u marrë me “qenie më të brishta njerëzore”.
Skocezi ka 25 vjet në drejtimin e Mançester Junajtid dhe i pyetur nga gazeta prestigjioze “The New York Times” nëse ndokush mund ta përsëritë këtë arritje, Ferguson ka qenë mëse i prerë: “Nuk e besoj. Unë jam një fenomen i rrallë!”.
Ai ka treguar se kohët kanë ndryshuar që në periudhën kur ai u ul për herë të parë në stolin e ekipit anglez. “Edhe unë jam zbutur. Tani merrem me qenie njerëzore më të brishta në krahasim me 25 vite më parë. Ata tani rriten me ide moderne, prindër modern, menaxherë modern dhe në raste të veçanta rriten nga vetë imazhi i tyre. Është një botë e ndryshme për mua tani dhe më është dashur të përshtatem”,
Sipas tij, çelësi i suksesit te Mançester Junajtid ka qenë se i është besuar gjithmonë punës së trajnerit. “Duhet ta kuptoni se personi më i rëndësishëm te Mançester Junajtid është trajneri. Në minutën kur një futbollist bëhet më i rëndësishëm se trajneri, klubi yt ka vdekur. Historinë tënde si klub e merr lumi. Unë jam personi më i rëndësishëm te Mançester Junajtid dhe kështu duhet të jetë”.
Trajneri skocez më pas ka folur për pensionin, duke mos lënë t’i iki mundësia për të bërë një batutë. “Pensioni është për njerëz të rinj, jo për të rriturit. Të rinjtë mund të merren me gjëra të tjera por kur je plak nuk të mbetet gjë tjetër të bësh. Kështu që më besoni mua: Kur të plakeni, mos dilni në pension!”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 January 2012 11:06