Mungesa e golit prej 10 ndeshjesh dukej qartë se kishte vënë trysni mbi shpatullat e Robin Van Persit. Ky i fundit, pasi shënoi me penallti në minutën e 66-të ndaj Stouk, vendosi të festonte me trajnerin Aleks Ferguson, duke vrapuar drejt tij dhe duke e përqafuar. Por trajneri skocez ka zgjedhur ironinë për të komentuar këtë veprim afrimiteti të sulmuesit holandez.
“Ai për pak më vrau! Robin e harron se unë jam 71 vjeç. Kuptohet që kishte festime pasi bashkoi emocionet e lojtarëve më të tifozëve. Ndaj ne e festuam shumë atë gol”.
“Për Robin ishte i veçantë. Për sulmuesit ekziston gjithmonë periudha kur nuk arrijnë të gjejnë rrjetën dhe mendojnë se nuk do ta bëjnë më një gjë të tillë. Ndërsa më pas fillon periudha kur shënon dhe mendon se nuk do të gabosh asnjëherë”, shpjegoi trajneri skocez duke uruar që kjo e fundit të jetë ajo në vazhdim për holandezin.
Edhe vetë Van Persi ka shpjeguar se mungesa e golit për një kohë të gjatë e shtyu të festonte në atë mënyrë me trajnerin e tij.
“Në atë mënyrë doli jashtë stresi që zgjaste prej disa javësh! Dëshiroja të festoja me këdo, me lojtarët e stafin, pasi të gjithë kanë qenë të shkëlqyer me mua që nga dita e parë. Edhe kur gjërat dukeshin më të vështira, ata më kanë mbështetur, ndaj dëshiroja që të gjithë të festonin me mua”, deklaroi Van Persi. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 09:55