Sër Aleks Ferguson ka reaguar ndaj komenteve të Patrik Vieira i cili ka thënë se Mançester Junajtid ishte i dëshpëruar për titullin, aq sa ktheu në fushë nga pensioni Pol Skols. Vieira, tashmë drejtori i zhvillimit në radhët e Mançester Sitit, tha se kthimi i 37 vjeçarit në fushë tregonte dobësi në radhët e skuadrës së Ferguson.
Kuptohet që ky i fundit nuk i ka pritur mirë këto deklarata dhe ka theksuar se në rast lufte mediatike, ai ishte i pari që nuk do të tërhiqej dhe se kishte mjaftueshëm “municione” për një përballje të tillë.
“Nëse dëshpërim quhet kthimi në fushën e lojës i mesfushorit më të mirë britanik të 20 viteve të fundit, atëherë unë do ta pranoj atë. Edhe Mançini na sulmoi disa javë më parë. Më sa duket do të na duhet të gjithëve të tregojmë forcën tonë dhe unë kam mjaftueshëm municione për ta”.
“Ne të dëshpëruar? Të mërkurën ata aktivizuan një lojtar i cili refuzoi të hynte në fushën e lojës dhe trajneri tha se ai nuk do të luante kurrë më për ta. Çfarë e quani këtë!”, u shpreh Ferguson para mediave.
Më pas ai ka sqaruar edhe pozicionin e Skols në këtë çështje. “Ai mund të caktojë shumë mirë ritmin e ndeshjes, ka eksperiencë dhe ka tru të jashtëzakonshëm për futboll. Arsyeja pse u largua ishte se donte të luante 50 ndeshje dhe jo 25. Ai u largua se donte të luante më shumë”, ishte komenti i trajnerit skocez i cili si zakonisht nuk terhiqet kur bëhet fjalë për luftë mediatike. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 March 2012 18:46