Rio Ferdinand do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për t’iu bashkuar kombëtares angleze të futbollit. Këtë e ka konfirmuar trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, i cili ka sqaruar se mbrojtësi i tij do t’i japë fund mungesës 21-mujore në radhët e “tre luanëve”.
“Po, ai do të jetë pjesë e kombëtares angleze në ndeshjet e ardhshme”, konfirmoi Ferguson pas përfundimit të ndeshjes së Mançester kundër Riding, ku qendërmbrojtësi ishte vendimtar duke dhënë pasimin për golin e Runit.
Shqetësimi më i madh për Ferguson ka qenë ai i programimit të stërvitjes që do të ndjekë në kombëtare mbrojtësi, i cili ka një program të specializuar për shkak të problemeve të vazhdueshme fizike që ka pasur në të kaluarën 34 vjeçari. Por Hodgson ka zhdukur çdo dyshim edhe rreth kësaj teme.
“Stafi ynë mjekësor është në kontakt të vazhdueshëm me stafet mjekësore të klubeve ndaj kemi një ide mëse të qartë se çfarë duhet bërë. Unë e shoh veten si një kujdestar i këtyre lojtarëve. Ata i përkasin klubeve, atje është ku fitojnë paratë. Ndaj ne mundohemi që t’i kthejmë mbrapa në kushte sa më të mira”, tha Hodgson.
“Shpresojmë që thirrja e Anglisë të jetë një motivim i madh. Sër Aleks ka qenë shumë i sinqertë, por unë jam i ndërgjegjshëm se kur merr shumë lojtarë nga një klub, vendos një barrë të rëndë mbi trajnerin e asaj skuadre”, deklaroi trajneri i Anglisë që ka grumbulluar 6 futbollistë nga radhët e kryesuesve të kampionatit anglez. (LajmeShqip.com)
Sunday, 17 March 2013 09:59