Sër Aleks Fergusn ka nxitur Uejn Runin të thyejë barrierën e 40 golave në këtë sezon për të ndihmuar skuadrën të fitojë kampionatin anglez si dhe të triumfojë në Europa League.
Futbollisti çoi në 26 numrin e golave të shënuar me fanellën e “Djajve të kuq” në këtë sezon falë dy golave të shënuar kundër Uest Bromuicv, që i dhanë suksesin 2-0 skuadrës së tij duke e ngjitur në kreun e renditjes së kampionatit, një pikë para rivalëve të Sitit. Rekordi i Runit për një sezon është 34 gola, i arritur në sezonin 2009-2010, por Ferguson beson se sulmuesi i tij mund të bëjë më shumë pasi po kalon një formë të shkëlqyer.
“Jam shumë i kënaqur për sa kohë që ai synon shifrën 40, pasi vetëm atëherë do të thotë që jemi në garë. Ai është në një ecuri të jashtëzakonshme, bën shpesh gjëra të tilla. Goli i parë ishte fantastik. Mendova se ishte në pozicion jashtë loje, pasi ishte shumë larg por koordinimi i vrapimit drejt topit ishte fantastik dhe finalizimi gjithashtu”, ishin fjalët e Aleks Ferguson pas sfidës.
Por vetë Runi nuk ka vendosur ende nëse do ta pranojë sfidën e trajnerit të tij, pasi mendon më shumë se si të udhëheqë skuadrën drejt trofeve dhe jo për objektivat personale. “E di se sa gola më duhen për të arritur rekordin tim por tani nuk jam i përqendruar në këtë sfidë. Na kanë mbetur 10 ndeshje në kampionat dhe unë thjesht dua të ndihmoj që të marr pikët që na nevojiten për të qenë të suksesshëm. Gjëja më e rëndësishme mbetet të fitojmë trofe”, deklaroi sulmuesi anglez. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 March 2012 11:06