Sër Aleks Ferguson beson se Uejn Runi mund të arrijë kuotën e 40 golave të shënuar në këtë sezon nëse vazhdon me të njëjtin ritëm në ndeshjet e mbetura të kampionatit. Lojtari ka shënuar deri tani 31 gola në sezon dhe pritet që deri në fund të kampionatit të shtojë këtë shifër për të ndihmuar skuadrën drejt titullit kampion.
“Ai është i aftë t’i shënojë 40 gola në një edicion”, tha Ferguson në një intervistë për “The Guardian”. “Kanë mbetur edhe 8 ndeshje dhe mund ta pranojmë që ai mund të realizojë një mesatare prej një goli për çdo takim, apo jo? A mund të shpallet futbollisti i vitit? Këtë nuk di ta them, pasi Van Persi ka patur një sezon të shkëlqyer”.
Sipas skocezit, rivaliteti në kampionat është bërë më i ndezur dhe ka shtyrë skuadrën të ngjitet në nivele më të larta në luftën për trofe.
“Në vitin 1997 e kemi fituar titullin kampion me 75 pikë dhe në vitin 1999 kur fituam “treshen” (kampionat, Kupë, Ligë Kampionesh), ia dolëm mbanë me 78. Në fillimin e këtij sezoni mendova se me 82 pikë do të shpalleshim kampionë, po tani nuk është e mundur ta thuash një gjë të tillë, apo jo? Të gjitha përllogaritjet kanë rënë poshtë”, tha trajneri skocez i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Sunday, 01 April 2012 13:16