Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, si dhe ai i sapoemëruar te Çelsi, Rafael Benitez, nuk kanë një marrëdhënie të mirë mes tyre dhe kjo është provuar që në rastin e parë që i është dhënë skocezit por të folur rreth spanjollit që u kthye në kampionatin anglez.
Sipas Ferguson, Benitez është shumë me fat që ka mundësinë që të shkruajë emrin për herë të dytë si fitues i Botërorit të Klubeve, edhe pse nuk ka ndërtuar vetë një skuadër fituese, pasi fillimisht e fitoi turneun me Interin e Murinjos, ndërsa tani i jepet i njëjti shans me Çelsin e Di Mateos.
“Është e pabesueshme të mendosh se Di Mateo u largua edhe pse ka fituar Kupën FA dhe Ligën e Kampioneve. Zhgënjimi më i madh për mua është se pas dy javësh, ata do të shkojnë të marrin pjesë në Botërorin e Klubeve. Normalisht do të mendohej se duhej t’i jepej një shans trajnerit që të provonte të fitonte këtë trofe”.
“Rafa Benitez është shumë me fat pasi në CV-në e tij, pas dy javësh, mund të ketë të shkruar emrin si fitues i dy Botërorëve për Klube, pa patur asnjë lidhje me skuadrat që i fituan ato”.
“Zhoze Murinjo fitoi tre trofetë me Interin. Benitez më pas mori skuadrën dhe fitoi Botërorin pa patur asnjë lidhje me ekipin dhe mënyrën se si u ndërtua ai”, ishte batuta e Ferguson që pritet shumë shpejt të marrë një përgjigje nga spanjolli, i cili si gjithmonë nuk është tërhequr në përballjet me teknikun skocez. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 16:01