Aleks Ferguson kërkon të evitojë me çdo kusht turpërimin e një sezoni më parë në arenën ndërkombëtare pas eliminimit të shpejtë nga Liga e Kampioneve. “Djajtë e kuq” u eliminuan që në fazën në grupe ndonëse kishin rënë në një grup që cilësohej i lehtë për ta, ku kundërshtarë ishin Benfika, Bazeli dhe Otelul Galati.
Këtë vit, Mançester Junajtid ka rënë në grup me Gallatasaraj, Braga dhe Kluj, ndërsa Ferguson ka bërë të qartë se nuk do ua tolerojë lojtarëve të tij një tjetër paraqitje nën nivelin e kërkuar nga skuadra që fitoi trofeun në vitin 2008.
“Ne kemi patur mjaft mundësi të mira në këtë turne. Kemi humbur dy finale përballë Barcelonës por edhe kemi fituar dy të tjera në pak më shumë se një dekadë. Por ne duam të bëjmë gjithmonë më mirë. Sigurisht që do të bëjmë më mirë se vitin e kaluar, për këtë të mos keni asnjë dyshim”.
“Atmosfera në Ligën e Kampioneve është e pabesueshme. Pa diskutim që ajo të ndihmon edhe të ngresh më lart statusin si klub, mjafton të shohësh Real Madrid apo Milan me trofetë që kanë fituar. Edhe ne duam t’i afrohemi nivelit të tyre në numrin e trofeve të fituar në futbollin evropian”, vijoi trajneri skocez.
“Të jeni të sigurt se nëse nuk kualifikohemi nga faza e grupeve, atëherë do të kritikohemi dhe do të sulmohemi, krejtësisht me të drejtë. Paralajmërimin e kemi marrë një vit më parë, ndaj kjo më bën mua të parashikoj se këtë radhë nuk do të eliminohemi që në grup”, përfundoi trajneri i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 September 2012 16:01