Dëmtimi i Robin Van Persit gjatë pjesës së parë të takimit të Mançester Junajtid kundër QPR, ka bërë që të lindin dyshime rreth riaftësimit të sulmuesit holandez për sfidën kundër Real Madrid në Ligën e Kampioneve me 5 mars.
Por trajneri i “djajve të kuq”, Aleks Ferguson, beson se holandezi do të jetë në gjendje të luajë në atë ndeshje, ndonëse u detyrua ta zëvendësonte para fundit të pjesës së parë të takimit të djeshëm.
“Me sa duket, Van Persi është përplasur me një kamera televizive. Ai ka marrë një dëmtim në ije dhe situatën do ta shohim më mirë gjatë ditës së nesërme. Do të dhembë pak por besoj se do të jetë në rregull në kohë për ndeshjen kundër Real Madrid”, shpjegoi trajneri skocez.
Kuptohet që falë avantazhit të ndjeshëm që ka ndaj ndjekësve në kampionat, Ferguson ka luksin ta lërë pushim në javën e ardhshme sulmuesin holandez, ndërsa objektivi është që ai të jetë në gjendje të mirë pas 10 ditësh, kur të luhet takimi i kthimit kundër madrilenëve, për të ndihmuar skuadrën angleze të kërkojë kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 24 February 2013 09:57