Aleks Ferguson ka konfirmuar se Mançester Junajtid nuk do të jetë pjesë e “ankandit” për të blerë Radamel Falkao gjatë merkatos së verës. Sulmuesi i Atletiko Madrid, i cili kushton rreth 60 milion euro, ndiqet me vëmendje nga Mançester Siti dhe Çelsi. Por gjatë javës së fundit, në Spanjë, mediat sugjeruan se vendin e parë në listë e kishte marrë pikërisht Mançester Junajtid, që kishte përfshirë edhe Havier Hernandez si pjesë të shkëmbimit.
“Seriozisht e besoni një gjë të tillë? Ju njerëz më çuditni gjithmonë”, ishte komenti i Aleks Ferguson drejtuar gazetarëve që e pyetën në konferencë për shtyp rreth kësaj teme.
Ndërkohë, në deklaratat e mëparshme që ka bërë për mediat angleze, Ferguson ka përsëritur se jo vetëm që nuk do të largohet Hernandez, por as Uejn Runi, për të cilin flitet se ka një interesim nga PSZH.
Megjithatë, trajneri skocez nuk ka hedhur kurrë poshtë spekulimet në shtypin anglez se ai po ndjek me vëmendje sulmuesin Robert Levandovski të Borusia Dortmund. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 April 2013 11:06