Ndeshja e sotme mes Mançester Junajtid dhe Liverpul cilësohet si një nga klasiket më të mëdha të futbollit anglez. Por Aleks Ferguson është tallur me rivalët e ekipit të tij, duke ironizuar me faktin që prej shumë vitesh ata janë shumë larg kreut dhe nuk përbëjnë më shqetësim për të.
“Liverpuli është në vendin e 8-të? Sinqerisht jam çuditur, pasi nuk ia kisha idenë derisa e dëgjova në televizor. Fakti është që nuk i ndjek edhe aq shumë. Zakonisht ndjek skuadrat që janë direkt pas nesh, programet e tyre dhe me kë do të ndeshen në vazhdim”, tha ai, duke bërë të qartë se Liverpuli nuk hynte në skuadrat “interesante” për të, pasi gjendet 21 pikë larg “djajve të kuq” në renditjen e kampionatit.
Kur iu kujtua se Liverpulit iu bënë 23 vite pa fituar një titull kampion, duke u ndalur te shifra 18, Ferguson nuk e kurseu një batutë tjetër. “Për një gjë të tillë kam ëndërruar gjithmonë”, tha trajneri skocez i cili që me emërimin e tij ka thyer hegjemoninë e Liverpulit në futbollin anglez, duke thyer me Mançester Junajtid thuajse çdo rekord që kishte vënë më parë klubi i famshëm anglez.
Por në fund, Ferguson ka pranuar se ndeshja me Liverpulin mbetet ndër më domethënëset për skuadrën e tij, ndonëse nuk do të ndikojë në luftën për titull.
“E kuptoj që ndeshja me Mançester Sitin ka marrë një kuptim tjetër në këto 5 vitet e fundit, por Liverpuli do të mbetet gjithmonë rivali më i madh dhe asgjë nuk do të ndryshojë në këtë aspekt. Kjo nuk ka të bëjë me pozicionin në renditje”, tha trajneri i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 January 2013 10:29