Sër Aleks Ferguson ka bindjen se Rajan Gigs do të luajë për “djajtë e kuq” edhe në sezonin e ardhshëm. 39 vjeçari Gigs do të bëhet futbollisti i tretë (përjashtuar portierët) që luan në kampionatin anglez pas moshës 40 vjeçare nëse vendos të qëndrojë edhe një sezon tjetër, duke iu bashkuar legjendave Tedi Sheringam dhe Gordon Straçan.
“Ai do të luajë edhe për një vit tjetër, nuk ka shenja të dukshme lodhje apo dobësie në lojën e tij. Cilësia është ajo e zakonshmja dhe ka një ekuilibër fantastik. Ai ka uri për të luajtur dhe është thjesht një qenie njerëzore e pabesueshme”, tha trajneri i Mançester Junajtid për mesfushorin uellsian.
Ndonëse Gigs ka pasur një rol pak më të vogël në vitet e fundit, ai mbetet një pikë kyç e Mançester Junajtid, ndërsa ka luajtur në 17 ndeshje të këtij sezoni. Lojtari që mban rekordin e ndeshjeve për “djajtë e kuq”, duke luajtur 926 të tilla, ishte kapiten në ndeshjen e Kupës FA kundër Uest Hem.
Rekordi i moshës në një skuadër angleze pas Luftës së Dytë Botërore i përket portierit holandez Edvin Van Der Sar, i cili ishte 40 vjeç e 211 ditë kur luajti për herë të fundit me Mançester Junajtid në finalen e Ligës së Kampioneve të vitit 2011.
Megjithatë Gigs vetë ka komentuar me humor fjalët e trajnerit skocez. “Ka thënë që nuk lodhem dhe mund të qëndroj edhe një vit? Unë nuk është se nuk po ndjej lodhjen tani”, tha ai në përfundimin e ndeshjes së mbrëmshme ku luajti 90 minuta. (LajmeShqip.com)
Thursday, 17 January 2013 16:08