Havier Hernandez ka qenë zëvendësuesi i luksit i Mançester Junajtid në ndeshjet e fundit, siç tregoi ndaj Aston Vilës duke shënuar 2 gola dhe duke qenë protagonist te i treti duke kthyer ndeshjen nga 0-2 në 3-2. Kjo ka shtyrë trajneri Ferguson të pranojë se meksikani e meriton të kthehet mes titullarëve, pasi është përsëri në formën më të mirë.
“Hernandez është më i freskët në këtë sezon. Ai bëri një pushim më të gjatë në verë dhe sot po shohim përsëri atë lojtarin që erdhi për herë të parë te ne, të njëjtën formë”.
“Aftësia e tij është natyrale. Ai është fantastik në zonën e rreptësisë me lëvizjen, shpejtësinë dhe aftësinë për të fituar hapësira. Në këtë ndeshje të tre golat ishin të tijët. Kur shënon tre gola në një ndeshje, normalisht që behesh titullar. Ai do të luajë nga minuta e parë në takimin e radhës”, u shpreh Ferguson.
Vetë Hernandez ka pranuar se nuk ka menduar shumë për suksesin personal, sesa për atë të skuadrës e cila i ka mësuar tifozët me përmbysje të tilla në këtë sezon.
“Nuk është e rëndësishme se kush shënon golat. E rëndësishme është që Mançester Junajtid vazhdon të kryesojë renditjen e kampionatit. Nuk e imagjinoja që do të isha unë që do të ktheja ndeshjen, thjesht mendoja si të zbatoja sa më mirë detyrat që më dha trajneri, për të vënë në lëvizje mbrojtjen kundërshtare”, tha meksikani i cili që me afrimin Van Persit po aktivizohet më shumë si një mesfushor. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 November 2012 12:01