Adnan Januzaj do të veshë fanellën me numër 44 të skuadrës së parë të Mançester Junajtid pasi Aleks Ferguson ka vendosur ta aktivizojë në javët e fundit të kampionatit si shenjë vlerësimi për sezonin e shkëlqyer në radhët e ekipit të të rinjve.
Trajneri skocez ka folur edhe publikisht për talentin kosovar, duke mos ngurruar ta cilësojë si lojtarin e të rinjve me më shumë potencial për të shpërthyer në ekipin e parë në sezonin e ardhshëm.
“Lojtarët e rinj do të jenë themeli për 5-6 vitet e ardhshme, si Adnan Januzaj, i cili po tregon mjaft mirë veten”, ishte komenti i tij për mediat angleze. Kjo i shtohet edhe asaj që trajneri skocez ka thënë më parë gjatë sezonit për 18 vjeçarin. “Adnani është një lojtar i balancuar shumë mirë. Ai është 18 vjeç dhe ka ende mundësi të rritet. Por që tani ka një balancim të mirë, shpejtësi dhe është një lojtar i mirë teknik”.
Futbollisti kosovar me pasaportë belge, kaloi te Mançester Junajtid nga akademia e Anderleht në vitin 2011, ndërsa ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij te ekipi i rezervave. Sigurisht, fjalët e Ferguson kanë rritur më shumë interesimin rreth këtij futbollisti që në javët e ardhshme do të bëhet pjesë e ekipit të parë.
Përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë kërkuar prej kohësh që të veshin futbollistin me fanellën kuqezi, por deri tani, ai ka refuzuar, ndërsa është në pritje të një ftese edhe nga përfaqësuesja belge. Por fakti që ai nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje me Belgjikën ka bërë që trajneri De Biasi të kërkojë të takohet vetë me futbollistin, me shpresën që të binde këtë të fundit të bëhet pjesë e kombëtares, duke i ofruar mundësinë që të aktivizohet që në miqësoren e qershorit kundër Turqisë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 19:08