Nëse zonja Cathy mendonte se duke dalë në pension bashkëshorti i saj do të fillonte të relaksohej dhe më në fund të shijonte pushimin e merituar, i mjaftuan pak muaj për të kuptuar se e kishte gabim.
Që kur e mbylli me stërvitjet, ndeshjet dhe skemat, në maj të vitit 2013, Sir Alex Ferguson nuk është ndalur kurrë dhe llogaria e tij bankare është rritur.
Më 30 qershor 2014, shoqata e tij “ACF (Alexander Chapman Ferguson) Sports Promotions”, ku Ferguson dhe bashkëshortja kanë qenë administratorë deri në vitin 2012, kur ia lanë vendin tre fëmijëve, ka fituar gati 4 milionë stërlina, e barabartë me 5.5 milionë euro.Sipas asaj që shkruan “Daily Mail”, këto miliona në arkën e familjes Ferguson kanë ardhur nga mënyra si po e shfrytëzon pensionin ish-trajneri 73 vjeç. “Fergi” i bën të gjitha: kontrata editoriale me mediat në të zë të Britanisë së Madhe, biografinë që shiti më shumë se 1 milionë kopje, punën si ambasador i Manchester United (20 ditë punë në vit, të paguara gati 3 milionë euro), dhe pjesëmarrjen në manifestime të ndryshme. Pak ditë më parë, Ferguson bëri një marrëveshje me “Harry Walker Agency” në Nju Jork. Kjo agjenci punon me njerëz të tillë si Bill Clinton, Henry Kissinger, Kofi Annan dhe Bono i U2. Ai do të jetë orator për një javë gjatë një prej konferencave më të rëndësishme botërore dhe për çdo seancë që do të flasë para auditorit do të marrë 150 mijë euro.
Gjatë këtij manifestimi, Ferguson do të promovojë dhe librin e tij të fundit “Leading”, i shkruar në bashkëpunim me Michael Moritz, që tregon suksesin e tij brenda dhe jashtë fushës gjatë viteve të tij si trajner, në fillim në Skoci me Aberdeen dhe më pas në Angli me Manchester United.”
Thursday, 23 July 2015 20:24