Roxher Federer ka treguar se bari i fushës qendrore të Uimbëlldon është kthyer praktikisht në atë të kopshtit të shtëpisë së tij, pasi ka siguruar fitore e 7-të të turneut prestigjioz anglez. Falë një paraqitje të jashtëzakonshme, ai ka mundur Endi Marrei në katër sete: 4-6, 7-5, 6-3, 6-4 në 3 orë e 24 minuta lojë.
Falë këtij suksesi, zvicerani ka arritur Pit Sampras e Uilliam Rensho në majën e klasifikimit të turneut britanik dhe pas dy vitesh, gjen përsëri edhe vendin e parë në renditjen botërore.
Para dhjetëra tifozësh VIP që kishin ardhur për të parë këtë ndeshje historike (mes të cilëve gjysma e familjes mbretërorë angleze), Marrei tregohet i shkathët duke fituar setin e parë dhe duke dhënë përshtypjen se mund të bëhet britaniku i parë që fiton këtë turne pas 76 vitesh mungesë.
Por në setin e dytë është zvicerani që kundërpërgjigjet me disa nga gjuajtjet e tij më spektakolare duke arritur të vendosë barazpeshën. Më pas, protagonist bëhet edhe shiu që ndërpret ndeshjen për rreth 30 minuta, derisa mbyllet edhe çatia e fushës qendrore dhe luhet në ambient të mbyllur nën dritën e projektorëve.
Që nga ai moment, loja flet thuajse gjithmonë për Federer që tregohet i vëmendshëm ndaj çdo gabimi të skocezit duke treguar pikë pas pike se e meritonte fitoren e këtij turneu. Në fund, shumë lot për zviceranin që shtrihet në tokë i emocionuar, nën duartrokitjen e publikut që e ka idhull pasi e ka parë shumë shpesh të korrë suksese të jashtëzakonshme në këtë turne.
Suksesi i 7-të në Uimbëlldon, i 17 në Grand Slem, i sjell vendin e parë në renditjen botërore, asht siç kishte premtuar dy vite më parë, kur dukej drejt pensionit dhe pakkush besonte se mund të kalonte më emra si Xhokoviç e Nadal. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 July 2012 19:32