Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, do të hetohet për sjellje raciste ndaj Anton Ferdinand, por këtë radhë jo nga një gjyq civil, po nga komisionet disiplinore në Federatën Angleze të Futbollit.
Kur mendohej se çështja kishte marrë fund, pasi futbollisti u shpall i pafajshëm në një gjyq civil, Federata Angleze ka vendosur të rihapë çështjen pas konsultimeve ligjore me partnerë të jashtëm.
“Federata Angleze ka filluar procedurat ndëshkimore ndaj kapitenit të Çelsit, Xhon Terri, i cili akuzohet për përdorimin e fjalëve abuzive ose/dhe fyerjeve ose/dhe sjelljes së papërshtatshme ndaj mbrojtësit të QPR, Anton Ferdinand. Dyshohet se këtu përfshihet edhe një referencë ndaj origjinës etnike ose/dhe ngjyrës dhe racës së Ferdinand”, shkruhej në lajmërimin e Federatës Anglezë.
Akuza u hodh poshtë menjëherë nga futbollisti i përfaqësueses angleze, i cili deklaroi se do të mbrohej ashtu siç kishte bërë në gjyqin civil.
“Unë i hedh poshtë akuzat dhe do të kërkoj të kem mundësinë të dal para komisionit për një seancë dëgjimore personale”, tha lojtari të cili iu hiq shiriti i kapitenit të Anglisë për shkak të kësaj çështje. (LajmeShqip.com)
Saturday, 28 July 2012 10:01