E ardhmja e Uesli Shnajder mund të vendoset që ditën e hënë, pas një takimi që do të organizohet mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të Interit. Futbollisti nuk u grumbullua as për sfidën kundër Palermos dhe në një situatë të tillë, bëhet e qartë se duhet ndryshuar diçka në mënyrë që ai të kthehet në fushën e lojës apo t’i japë përfundimisht lamtumirën zikaltërve.
Klubi ka bërë të qartë se pret që futbollisti të heqë dorë nga kërkesat e larta ekonomike dhe të pranojë menjëherë uljen e rrogës, nga 6 milion euro në sezon, në 4.5 milion euro në sezon. Vetëm në këto baza do të fillohet diskutimi për të ardhmen e futbollistit dhe një rinovim i mundshëm, në të kundërt ai do të nxirret në shitje që në janar.
Tani mbetet të mësohet se cila është dëshira e futbollistit, i cili nga njëra anë dëshiron të qëndrojë te zikaltërit, ku ka arritur majat e karrierës së tij duke fituar gjithçka me këtë ekip, por nga ana tjetër sheh se nuk është më i pazëvendësueshëm në skemat e Stramaçionit. Ky i fundit ka prirje për të vendosur Kasanon dhe Palacion si partnerë sulmi të Militos, e si rrjedhojë, kërkon që holandezi të kthehet në një mesfushor të mirëfilltë krahu nëse dëshiron të ketë një vend mes titullarëve. (LajmeShqip.com)
Sunday, 02 December 2012 11:33