Sheiku Mohamed bin Rashid Al Maktoum ka lënë me gisht në gojë Milanin, duke shuar menjëherë të gjitha ëndrrat dhe projektet që në dy ditët e fundit ishin trumbetuar në mediat italiane dhe forumet e tifozëve kuqezi.
Nëpërmjet përfaqësuesit italian, ai ka bërë të ditur se nuk është planifikuar “asnjë takim me persona në lidhje me futbollin e cilitdo nivel”. Me pak fjalë, nuk do të zhvillohet takimi i shumëpërfolur me Berluskonin për të projektuar stadiumin ri “Emirates San Siro” që dy ditë e fundit ishte kthyer në ëndrrën e çdo tifozi të kësaj skuadre.
“As në të kaluarën dhe as tani, ai nuk ka shfaqur asnjë interes personal për këtë sport. Nuk është marrë në konsideratë asnjëherë një takim i tillë në Itali”, ka saktësuar përfaqësuesi ligjor i sheikut në Itali.
Si rrjedhojë, kuqezinjtë duhet të vazhdojnë të ndajnë përgjysmë stadiumin me kushërinjtë e urryer të Interit, pasi sheikët jo vetëm që nuk do të ndihmojnë për të ndërtuar impiantin e ri, por as nuk kanë ndër mend të bëhen bashkëpronarë te Milani.
Sipas asaj që është mësuar, edhe zërat për interesimin e mundshëm të arabëve për blerjen 500 milionë euro të klubit, kanë qenë një shpikje që ka dalë nga zyrat e klubit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 June 2012 09:20