Sulmuesi i Atletiko Madrid, Radamel Falkao, tregoi se si presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, filloi të bënte humor me të gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve pas përfundimit të finales së Europa Leaue.
Kolumbiani ishte padyshim lojtari më i mirë në fushë duke shënuar dy gola në takimin që skuadra e tij fitoi 3-0 ndaj Atletik Bilbaos, duke i dhënë këtij ekipi trofeun e dytë në tre vitet e fundit.
Vetë 26-vjeçari arriti të siguronte trofeun e tij të dytë radhazi, pasi udhëhoqi drejt lavdisë Porton një vit më parë në finalen e luajtur në Dublin, një fakt që nuk i ka shpëtuar presidentit të UEFA-s.
“Ishim në radhë duke pritur dorëzimin e trofeut”, ka treguar Falkao në adresën e tij në Twitter. “Unë iu afrova të madhit Platini i cili më vendosi medaljen në qafë dhe pastaj e hoqi. E pashë dhe ai më drejtohet: “Prapë ti?!”, para se të më vendoste përfundimisht medaljen në qafë. Më shtrëngoi dorën me buzëqeshje, na dha trofeun dhe aty filloi festa”, ishte tregimi i sulmuesit kolumbian. (LajmeShqip.com)
Sunday, 13 May 2012 12:27