Radamel Falkao ka pranuar se po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij, edhe për faktin se ai po rivalizon aktualisht me Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon për renditjen e golashënuesit më të mirë në kampionatin spanjoll.
“Kuptohet që është shumë shpejt për të folur, por jam i lumtur që kam qenë sipër tyre për pak kohë në klasifikimin e golashënuesve. Shpresoj të vazhdoj kështu, duke konkurruar me ta, ndonëse si objektiv kam të përsëris shifrat e golave të vitit të kaluar”, u shpreh “Tigri” në një intervistë të dhënë për gazetën kolumbiane “El Tiempo”.
Lojtari më pas ka folur edhe për ecurinë e kombëtares së tij, që kërkon të rivalizojë për kreun e grupit në Amerikën e Jugut, ku është vënë në ndjekje të Argjentinës. Javën e ardhshme, Kolumbia ka një ndeshje në Paraguai, për të cilin Falkao mendon se është një rival mjaft i vështirë.
“Duhet përballuar kjo ndeshje me seriozitetin maksimal, duke qenë të vëmendshëm dhe duke mos nënvlerësuar kundërshtarin. Ndeshja do të jetë e vështirë, pasi ata janë të mësuar me klimën e vendit të tyre dhe do të kërkojnë me çdo kusht fitoren”.
“Kolumbia kishte disa vite që kërkonte të ndërtonte një skuadër të tillë. Kemi patur gjithmonë lojtarë të mirë, por nuk kemi patur një ekip që të ketë mundësinë të kualifikohet në Botëror. Gjithsesi, nuk kemi siguruar ende asgjë, ndaj duhet të vazhdojmë sukseset deri sa të ketë siguri matematike”, tha sulmuesi që për momentin vlerësohet ndër më të mirët në botë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 October 2012 15:01