Sulmuesi i Atletiko Madrid, Radamel Falkao, i ka hapur rrugë transferimit të tij të mundshëm te PSZH, pasi ka lënë të kuptohet se mund t’i interesojë kjo skuadër. Kolumbiani është protagonisti kryesor i ekipit të tij në këtë sezon, duke shënuar 17 gola në 16 ndeshje dhe duke ngjitur skuadrën në vendin e dytë në renditje, edhe më mirë se rivalët e përjetshëm të Real Madrid.
Por ai duket se tërhiqet nga ambiciet dhe sigurisht, milionat që ofrojnë aktualisht parisienët, që kanë grumbulluar disa nga talentet më të mëdha të futbollit botëror në vitin e fundit.
“Franca është një vend i mrekullueshëm”, tha ai për “Telefoot”. “Kam qenë edhe më parë aty dhe më pëlqen shumë. PSZH ka një projekt shumë ambicioz sportiv dhe ata kanë investuar një shumë të madhe parash për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Atyre do t’u duhet kohë, por ajo do të vijë shumë shpejt”.
“Nuk është e pamundur që unë të vij shumë shpejt t’ju takoj ju gazetarëve francezë”, ishte batuta e tij që la të kuptohej se ai po mendonte seriozisht t’i bashkohej kësaj skuadre, ku luan një nga futbollistët që admiron më shumë, Zlatan Ibrahimoviç.
“E kam ndjekur karrierën e Zlatan e cila ka qenë e pabesueshme dhe ku ai ka triumfuar në çdo ligë ku ka shkuar. Ai është fantastik, ka shënuar shumë gola. Më pëlqen të jem në gjendje të konkurroj me lojtarë të tillë. Por objektivi im është të shkëlqej dhe të përmirësohem çdo ditë”, tha sulmuesi kolumbian. (LajmeShqip.com)
Monday, 14 January 2013 11:01