Sebastian Vetel ka humbur vendin e dytë të siguruar në garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Hokenhaim, pasi parakalimi i tij në xhiron e parafundit ndaj Xhenson Baton është cilësuar i parregullt. Kampioni i botës në fuqi në Formula 1 është ndëshkuar me 20 sekonda në kohën përfundimtare, që do të thotë se ai ka marrë vendin e 5-të në këtë garë.
“Makina numër 1 doli nga pista dhe fitoi një avantazh ndaj kundërshtarit në momentin kur u kthye. Kjo është thyerje e nenit 20.2 të rregullores sportive të FIA Formula 1. Kalimi i bokseve hyn në fuqi pas gare (ndëshkim me 20 sekonda shtesë në kohën përfundimtare të garës)”, shkruhej në vendimin e dhënë nga drejtuesit e garës.
Si rrjedhojë, renditja e garës ka pësuar disa ndryshime, pasi fillimisht Baton ka marrë vendin e dytë, ndërsa Raikonen të tretin, me japonezin Kobajashi që tashmë do t’i gëzohet vendit të katërt.
Ai që gëzon më shumë në këtë mesele është Fernando Alonso, i cili sheh një nga rivalët kryesorë për titullin kampion të largohet më shumë në renditje, pasi tani Vetel është 44 pikë larg tij në klasifikimin e botërorit. (LajmeShqip.com)
Renditja e Botërorit për pilotë të Formula 1
154 Fernando Alonso (Ferrari)
120 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
110 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
98 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
92 Luis Hamilton (MekLaren-Mercedes)
76 Niko Rosberg (Mercedes)
68 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
61 Sebastian Groszhan (Lotus-Reno)
47 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
33 Kamui Kobajashi (Sauber Ferrari)
Monday, 23 July 2012 10:01