Sebastian Vetel mundi Luis Hemilton dhe Pastor Maldonado për të marrë pole-position në kualifikueset spektakolare të Çmimit të Madh të Evropës në pistën spanjolle të Valencias.
Maldonado me Uilliams dukej se mund të bënte surprizën e dytë të sezonit duke marrë një tjetër pole-position pas asaj të dhuruar nga Hemilton në Barcelonë. Por në xhiron e fundit, ai u kalua fillimisht nga kampioni i Red Bull, e më pas edhe nga britaniku i MekLaren.
Dy makinat Lotus nuk arritën të luftonin për vendet e para, po gjithsesi janë renditur në pozicion mjaft të favorshëm pasi Groszhan është i katërti në vijën e nisjes ndërsa Raikonen e ndjek në vendin e pestë.
Por shumë prej pilotëve kryesorë zhgënjyen në këto kualifikuese, pasi mes 10 më të mirëve nuk arritën të renditeshin dy makinat Ferrari, Mikael Shumaker me Mercedes si dhe Mark Ueber me Red Bull. Kjo do e bëjë edhe më të paparashikueshme garën e nesërme ku strategjitë e zgjedhura nga skuadrat pritet të jenë shumë të ndryshme. (LajmeShqip.com)
Renditja në nisjen e Çmimit të Madh të Evropës:
1. Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
2. Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
3. Pastor Maldonado (Uilliams-Reno)
4. Romen Groszhan (Lotus-Reno)
5. Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
6. Niko Rosberg (Mercedes)
7. Kamui Kobajashi (Sauber-Ferrari)
8. Niko Hulkenberg (Force India-Mercedes)
9. Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
10. Pol Di Resta (Force India-Mercedes)
11. Fernando Alonso (Ferrari)
12. Mikael Shumaker (Mercedes)
13. Felipe Masa (Ferrari)
14. Bruno Sena (Uilliams-Reno)
15. Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
16. Haiki Kovalainen (Katerham-Reno)
17. Daniel Riçiardo (Toro Roso-Ferrari)
18. Zhan-Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)
19. Mark Ueber (Red Bull-Reno)
20. Vitali Petrov (Katerham-Reno)
21. Pedro De La Rosa (HRT-Kosuorth)
22. Narain Kartikeian (HRT-Kosuorth)
23. Çarls Pik (Marusia-Kosuorth)
Saturday, 23 June 2012 17:18