Mark Ueber me Red Bull shkurtoi në 13 pikë diferencën me Fernando Alonson në kreun e renditjes së botërorit të Formula 1, pasi ndoqi e më pas kaloi Ferrarin në një garë dramatike në Silverston ku nuk pati shi.
Sebastian Vetel me makinën tjetër Red Bull u ngjit në shkallën e tretë të podiumit dhe nëse do të ishte “zgjuar” më përpara, mund të kishte patur mundësinë për të kaluar edhe ai Alonson, i cili shfaqi si gjithmonë probleme me gomat në xhirot e fundit.
Piloti spanjoll vendosi një distancë prej 5 sekondash diferencë me Ueber që e ndiqte që në fillimin e garës dhe arriti të ruante këtë diferencë thuajse gjatë gjithë garës. Por në kundërshtim nga pilotët e tjerë që përdorën fillimisht gomat e buta e më pas ata të fortat, spanjolli i Ferrarit ruajti setin e butë për në fund, duke bërë që të mos mbante më hapin e fillimit. Si rrjedhojë, Ueber iu afrua dhe pas një dueli që zgjati disa xhiro, arriti ta parakalonte duke i marrë fitoren kur kishin mbetur vetëm 4 xhiro nga fundi.
Vendi i katërt i takoi Felipe Masa, i cili u shfaq i ringjallur me Ferrarin dhe në gjendje për të luftuar me skuadrat e kreut. Pas tij u renditën dy makinat Lotus, me Raikonen që doli përsëri para shokut të skuadrës Groszhan.
Luis Hemilton dhe Xhenson Baton e përfunduan garën respektivisht në vendin e 8-të dhe 10-të me makinat MekLaren, të cilat u shfaqën shumë dobët në krahasim me rivalët për titull. Vendi i shtatë në garë i takoi Mikael Shumaker me Mercedes, ndërsa në vendin e 9-të u rendit Bruno Sena me Uilliams. (LajmeShqip.com)
Renditja e Botërorit të Formula 1
129 Fernando Alonso (Ferrari)
116 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
100 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
92 Luis Hamilton (MekLaren Mercedes)
83 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
75 Niko Rosberg (Mercedes)
61 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
50 Xhenson Baton (MekLaren Mercedes)
Sunday, 08 July 2012 17:26