Fernando Alonso me Ferrari ka arritur një sukses të merituar në Çmimin e Madh të Gjermanisë në pistën e Hokenhaim, duke treguar se tani ai është favoriti kryesor për titullin kampion në këtë sezon.
Spanjolli që kryeson renditjen e kampionatit botëror, ka thelluar edhe më tepër diferencën me ndjekësit, ndërsa në këtë garë që e filloi dhe e mbaroi në venin e parë, ka arritur të mbajë shumë mirë mbrapa si Sebastian Vetel me Red Bull, ashtu edhe Xhenson Baton me MekLaren.
Alonso arriti të mbante gjithmonë një distancë prej rreth 1 sekonde me dy ndjekësit e tij dhe në xhirot e fundit u ndihmua edhe nga fakti se dy pilotët që kishte pas filluan të duelonin me njëri-tjetrin për vendin e dytë. Në fund doli fitimtar Vetel, edhe pse manovra e tij e parakalimit ndaj Baton në xhiron e parafundit nuk ishte krejtësisht e rregullt.
Suksesi çoi në 34 pikë distancën që ka Alonso nga ndjekësi më i afërt në kampionat, Mark Ueber, i cili u desh të kënaqej me vendin e 8-të në këtë garë. Vendi i katërt i kaloi Kimi Raikonen, që zhvilloi si rrallëherë një garë të qetë, ndërsa pas tij u renditën Kobajashi dhe Perez, me dy makinat Sauber. Tre gjermanët Shumaker (7), Hulkenberg (9) dhe Rosberg (10), plotësuan radhën e makinave që përfunduan në zonën e pikëve.
Ndërkohë, një incident në xhiron e parë nxori praktikisht nga gara Luis Hemilton dhe Feilpe Masan, duke i vonuar shumë në bokse për ndërrimin e pjesëve të makinës dhe duke bërë që i pari të braktiste garën kur kishin mbetur edhe 10 xhiro nga fundi, ndërsa i dyti të përfundonte i 13-ti. (LajmeShqip.com)
Renditja e Botërorit për pilotë të Formula 1
154 Fernando Alonso (Ferrari)
120 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
118 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
95 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
92 Luis Hamilton (MekLaren-Mercedes)
76 Niko Rosberg (Mercedes)
65 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
61 Sebastian Groszhan (Lotus-Reno)
47 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
31 Kamui Kobajashi (Sauber Ferrari)
Sunday, 22 July 2012 17:01