Luis Hemilton u ka thënë drejtuesve të MekLaren se është gati për një kontratë të re me skuadrën britanike, ndërsa marrëveshja ekzistuese nga e cila ka përfituar 75 milion paund përfundon në mbylljen e këtij sezoni.
Piloti 27 vjeçar ka bërë të qartë se për momentin nuk i shkon ndër mend të largohet nga skuadra të cilës iu bashkua në moshën 13 vjeçare, edhe pse gjatë këtij sezoni ai po penalizohet ndjeshëm nga mekanikët e tij që kanë gabuar shpesh në ndërrimin e gomave. Kampionit të Botës në Formula 1 gjatë sezonit 2008, pritet t’i ofrohet një marrëveshje e re 5 vjeçare me vlerën rreth 100 milion paund.
“Një kontratë e re është diçka që po e mendoj por nuk e kam nënshkruar ende. Megjithatë, jam gati të firmos sepse do të jetë një peshë më pak mbi supe pasi të kem marrë vendimin tim”, tha Hemilton para garës së Silverston në Angli.
Ndërkohë, skuadra e tij po mundohet që të mos bëjë më gabime të cilat kanë penalizuar ndjeshëm shanset për fitore si të Hemilton ashtu edhe të Baton. Drejtori sportiv, Sem Majkëll, bëri të ditur se gjatë javës janë bërë prova me 800 ndërrime gomash pa asnjë gabim.
“Kemi dhënë kohën më të shpejtë në Montreal dhe e përmirësuam atë në Valencia me një ndalesë prej 2.6 sekondash. Por objektivi ynë ishte të bënim një mesatare konstante nën 3 sekonda për çdo ndalesë. Të hënën kemi plotësuar 800 ndalesa pa bërë asnjë gabim”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 July 2012 10:50