Çmimi i Madh i Amerikës në Nju Xhersi do të shtyhet në vitin 2014, pasi organizatorët lokalë kanë nevojë për më tepër kohë të përgatitin pistën. Këtë fakt e ka pranuar vetë padroni i Formula 1, Berni Ekleston.
“Ata nuk kanë kohë më. Ka shumë gjëra që duhen bërë dhe ata nuk i kishin menduar të gjitha. Ata dëgjuan këshillat tona vetëm kur ishte shumë vonë. Kjo është arsyeja pse nuk mund të bëheshin gati në kohë dhe tani është shumë vonë”, pranoi 81 vjeçari.
Ai tha se tani plani është që kjo garë të zhvillohet për herë të parë në vitin 2014, duke debutuar bashkërisht me pistën ruse në Soçi, e cila do të ndërtohet menjëherë pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore në këtë resort të Detit të Zi.
Gara e Çmimit të Madh të Amerikës, që do të zhvillohej në një pistë me pamjen e Nju Jorkut në sfond, ishte parashikuar të zhvillohej me 16 qershor të vitit të ardhshëm, por me shënimin “ndoshta” përkrah. Një javë më vonë, ishte parashikuar edhe gara e Montreal në Kanada, për të bërë bashkë dy pistat e Amerikës së Veriut.
Problemi kryesor duket se ka qenë rregullimi i rrugëve të qytetit ku do të kalojnë makinat e Formula 1, sidomos ato që janë në pjesët publike si në zonën e Port Imperial, Uihouken dhe Nju Jorkun Perëndimor. Gara pritej të ndihmonte Formula 1 të rifitonte publikun amerikan, një vend ku ky sport nuk ka arritur të çajë edhe pse deri në vitin 2007 zhvilloheshin gara në një prej pista automobilistike më të famshme në botë, Indianapolis. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 October 2012 15:01