Frenk Uilliams ka përshëndetur të gjithë mekanikët e Formula 1 që ndihmuan në shuarjen e zjarrit në garazhin e skuadrës së tij ku për pak ai humbi jetën. Krijuesi dhe shefi aktual i skuadrës Uilliams, i cili është paralizuar dhe lëviz vetëm me një karrocë për invalidë, u largua me shpejtësi nga mekanikët pasi shpërtheu zjarri në garazhin Uilliams, ku djegia e një pompe karburanti krijoi një re toksike që mund të kishte qenë fatale.
Stafi i skuadrave rivale në Formula 1 si Katerham, Toro Roso, Sauber dhe Force India, iu bashkua stafit të skuadrës Ulliams duke rrezikuar jetën për të shuar zjarrin, pasi zjarrfikësit po vononin të vinin në vendngjarje.
“Të gjithë në skuadrën Uilliams F1 janë të lumtur që kjo ngjarje përfundoi me dëme të limituara. Ndërsa incidenti ishte i papritur dhe krejtësisht i padëshiruar, ai ka treguar shoqërinë dhe shpirtin e bashkëpunimit të sinqertë që ekziston mes skuadrave të Formula 1. Reagimi i jashtëzakonshëm nga skuadrat e tjera ishte i menjëhershëm dhe shumë emocionues”, tha drejtuesi 70 vjeçar.
Meqenëse zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha, sidomos në kompjuterët e të dhënave, shumë skuadra i kanë ofruar ndihmë skuderisë Uilliams duke i ofruar të dhënat e tyre në mënyrë që kjo skuadër të arrijë të shfaqet në një nivel të kënaqshëm në garën e radhës me 27 maj në Monako. Ky është një tjetër gjest i rrallë në një sport si Formula 1, ku rivaliteti ka sjell shpesh edhe në çështje gjyqësore për spiunazh informatik. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 May 2012 11:40