Xhenson Baton ka marrë një ofertë nga Ferrari për të zënë vendin e Felipe Masa te skuadra italiane. Lajmi është bërë i ditur nga vetë piloti britanik nëpërmjet një interviste të dhënë për “Estadio Esportes”.
Fituesi i titullit kampion me Braun GP në vitin 2009, ishte që në atë periudhë në objektivat e Ferrarit, por më pas ai zgjodhi t’i bashkohej skuadrës MekLaren. Ai firmosi atëherë një kontratë dyvjeçare, me opsion për ta zgjatur atë edhe një sezon tjetër, këtë aktual 2012.
Por kjo duket se nuk pengoi drejtuesit e Ferrarit që t’i bënin atij një ofertë zyrtare gjatë dimrit, duke kërkuar që ai të vihej përkrah Alonsos në fillimin e sezonit të ri, pasi parashikonin që atëherë një tjetër dështim të Felipe Masa.
“Jam i lumtur që shoh se puna ime vlerësohet. Unë thjesht dëgjova se çfarë skuadrat e tjera mund të më ofronin”, tha Baton, duke lënë të nënkuptohej qartë që kishte biseduar me skuadrën italiane. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 09:03