Patris Evra është i bindur se Robin Van Persi ka marrë vendimin e duhur duke u larguar nga Arsenali gjatë verës, ndërsa është i sigurt se fitorja e titullit në këtë sezon provon se holandezi kishte bërë zgjedhjen më të mirë për karrierën e tij. Mançester Junajtid shpenzoi 22.5 milion paund për 29 vjeçarin, një shifër e lartë po të merret në konsideratë mosha e tij, por ai provoi aftësitë para portës me 25 gola të shënuar në kampionat, një rekord përsa i përket lojtarëve debutues.
“Unë nuk e kuptoj pse tifozët e Arsenalit e vërshëllyen atë. Jam i zhgënjyer që tifozët e Arsenalit e harruan aq shpejt atë që ka bërë ai për klubin. Mendoj se edhe Robin e ndjeu një gjë të tillë”, tha Evra duke komentuar pritjen që iu bë sulmuesit në ndeshjen ndaj Arsenalit.
“Ai nuk ka bërë zgjedhjen e gabuar. Kaloi një kohë e gjatë pa fituar titullin dhe ai erdhi te Mançester Junajtid për ta fituar atë”, shpjegoi Evra për sulmuesin që ka shënuar 29 gola në këtë sezon në të gjitha aktivitetet, ndërsa një vit më parë, te Arsenali kishte arritur shifrën 37. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 30 April 2013 12:01