David Mojes pritet që brenda pak orësh të emërohet zyrtarisht si trajneri i ardhshëm i Mançester Junajtid, pasi tashmë është vendosur që do të jetë ai pasardhësi i Aleks Ferguson në stolin e skuadrës angleze. Lajmi është konfirmuar fillimisht nga klubi i Evertonit, ku ai mban aktualisht detyrën e trajnerit, ndërsa edhe vetë Mançester Junajtid pa dashje e ka “zyrtarizuar” marrëveshjen në faqen e vet të Facebook me një parullë ku ftonte fansat të përshëndetnin trajnerin e ti, të hequr pas disa çastesh ku dukej se po bëheshin provat teknike për momentin e emërimit të tij.
Presidenti i Everton, Bill Kenrait, konfirmoi për mediat angleze se trajneri i kishte kërkuar të largohej drejt Mançester Junajtid për të zënë vendin e Ferguson, pas 11 viteve në drejtimin e klubit të qytetit të Liverpulit. Pas deklaratës së tij, klubi i Evertonit doli me një qëndrim publik rreth çështjes.
“Evertoni mund të konfirmojë se David Mojes do të largohet nga klubi në fund të sezonit. Trajneri u takua me presidentin Bill Kenrajt dhe shprehu dëshirën që të bashkohej me Mançester Junajtid. Presidenti, në emër të klubit, dëshiron të falënderojë David për kontributin e tij masiv te Evertoni që nga momenti kur mbërriti këtu në marsin e vitit 2002. Ai ka qenë një trajner i jashtëzakonshëm”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga klubi anglez.
Sipas mediave angleze, Mojes ka qenë zgjedhja personale e Aleks Ferguson, i cili i ka këshilluar klubit bashkëkombësin e tij, duke e cilësuar një person të aftë të drejtonte për një periudhë të gjatë edhe mes vështirësive, siç kishte treguar në 11 vitet radhazi te Everton. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 17:00