Xhoni Evans ka mbështetur vendimin e diskutueshëm të gjyqtarit Mark Klatenburg, i cili ndëshkoi me karton të kuq Fernando Torres duke pretenduar se ky i fundit simuloi në një aksion drejt portës së Mançester Junajtid.
Mbrojtësi i “djajve të kuq” ka pranuar se ka patur një kontakt të lehtë mes tij dhe sulmuesit spanjoll, por jo aq sa për t’u rrëzuar në atë mënyrë.
“Në ato momente nuk dukej sikur kisha patur kontakt me të, por më vonë e pashë përsëritjen në televizor dhe mendoj se ka patur një kontakt të lehtë. Por besoj se nuk ishte një kontakt i tillë sa për ta rrëzuar në tokë. Ai me shumë mundësi e kuptoi që nuk do të arrinte topin dhe mendoj se gjyqtari mori vendimin e duhur duke i dhënë kartonin e dytë të verdhë”, u shpreh qendërmbrojtësi i Mançester Junajtid.
Edhe trajneri Aleks Ferguson mendon se Torres u largua me të drejtë nga fusha e lojës pasi po kërkonte me ngulm të fitonte faull.
“A kishte ai si objektiv të rrëzohej? Mendoj se ai u rrëzua me dashje. Besoj se Xhoni e preku pak, por ai mund të zgjidhte të vazhdonte të vraponte drejt portës, gjë që mund ta bënte shumë mirë, apo të rrëzohej. Ai mund të vazhdonte shumë mirë aksionin dhe të shënonte. Ndaj është vetëm faji i tij për kartonin e kuq”, tha trajneri i Mançester Junajtid. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 October 2012 15:10