Tirana ka kaluar qetësisht në turin e dytë të Europa League përballë Grevenmaher të Luksemburgut, duke u bërë gati tashmë për një sfidë më të vështirë kundër norvegjezëve të Alesund.
Pasi kanë fituar lehtësisht 2-0 takimin e parë në Tiranë një javë më parë, bardheblutë kanë barazuar pa gola në ndeshjen e kthimit në Luksemburg, edhe pse duhet thënë se ka qenë ekipi kundërshtar që ka zhvilluar më tepër lojë, ndonëse nuk ka arritur të vërë në vështirësi portierin Lika.
Por ajo që shqetëson bardheblutë është sfida e radhës kundër Alesund, ku do të jetë e sigurt mungesa e mbrojtësit Arjan Pisha, i cili u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë mëse të evitueshëm, si dhe mund të mungojë Nertil Ferraj, i dëmtuar që në pjesën e parë të takimit.
Ndërkohë, një tjetër ekip shqiptar, Shkëndija 79 ,i ka dhënë lamtumirën Europa League duke u eliminuar nga ekipi irlandezo-verior i Portdaun. Pas barazimit pa gola në takimin e parë në Maqedoni, Shkëndija 79 e nis mirë takimin në transfertë, duke kaluar e para në avantazh me anë të mbrojtësit Cuculi që në minutën e 4-t të ndeshjes.
Por në pjesën e dytë, kjo skuadër nuk ka arritur të mbrojë rezultatin, duke pësuar fillimisht golin e barazimit në minutën e 58-të me Leki, e më pas ka pësuar edhe golin që i eliminoi nga turneu evropian në minutën e 80-të më autor Redman. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 22:23