Dy skuadrat e Mançesterit, pretendentet kryesore për të fituar Europa League në këtë edicion, rrezikojnë të dalin nga turneu nëse nuk arrijnë të përmbysin në ndeshjet e dyta humbjet që iu shkaktuan sonte.
Mançester Junajtid është mundur në shtëpi nga Atletik Bilbao dhe vetëm dy golat e Uejn Runit mund të mbajnë gjallë shpresat e skuadrës së Aleks Ferguson për të qëndruar në turne me takimin që përfundoi 3-2 në favor të miqve. Për skuadrën e Bilabos, që u shfaq në formë të jashtëzakonshme, shënuesit ishin Lorente, De Markos dhe Muniain, ndërsa vetëm ndërhyrjet e sakta të De Gea shpëtuan vendasit nga një disfatë më e thellë.
Ndërkohë, edhe Mançester Siti është mundur, por në fushën e Sporting Lisbonës ku gjithçka është vendosur nga goli me thembër i Ksandao në minutën e 51-të. Vendasit kanë humbur shumë raste për të shënuar, ndërsa edhe Siti ka gjetur shtyllën me Balotelin si dhe ka humbu rastin e pastër për barazim në minutat e fundi me Agueron.
Rezultati më “i padrejtë” i natës është humbja absurde 1-0 e Shalkes në fushën e Tuentes. Në minutën e 60-të të ndeshjes, sulmuesi vendas De Jong u pengua me këmbët e tij në hyrje të zonës, ndërsa mbrojtësi Matip ishte pranë. Gjyqtari skocez Kreig Tompson ka gabuar rëndë duke akorduar penallti, e për më tepër duke larguar Matip me karton të kuq, ndërsa De Jong shënonte qetësisht nga pika e bardhë.
Ndërkohë, dy skuadrat e tjera spanjolle, Atletiko Madrid dhe Valencia, kanë fituar ndeshjet e tyre respektive, duke patur në dispozicion një avantazh prej dy golash për ndeshjet e kthimit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Atletiko Madrid-Beshiktash 3-1
Tuente-Shalke 1-0
Metalist-Olimpiakos 0-1
Sporting-Man. Siti 1-0
AZ Alkmar-Udineze 2-0
Man. Junajtid-Atletik Bilbao 2-3
Standard Liezh-Hanover 2-2
Valencia-PSV Eindhoven 4-2
Thursday, 08 March 2012 23:42