Skënderbeu dhe jo vetëm, Europa League e këtij edicioni do të flasë më shumë shqip. Vendi ynë nuk do të përfaqësohet vetëm me skuadrën korcare në fazën e grupeve të Europa League, pasi edhe shumë futbollistë të kombëtares kuqezi që luajnë për klube të ndryshme europiane do të jenë pjesë e këtij kompeticioni.
Nëse Elseid Hysaj, Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka, Albian Ajeti, Etrit Berisha apo Lorik Cana gjithmonë nëse ky i fundit vendos të qëndrojë te Lazio, e kishin siguruar më herët pjesëmarrjen në këtë kompeticion, të Enjten siguruan një biletë për në fazën e grupeve të Europa League edhe Ergys Kace, Ansi Agolli dhe Herolind Shala.
Në Danimarkë, Brondby dhe Paoku barazuan 1-1 mes tyre me Ergys Kacen që ishte protagonist në golin e shënuar nga skuadra e tij. Në minutën 21-të mesfushori shqiptar me një harkim shumë të bukur nga një goditje standarte gjeti kokën e portugezit Ricardo Costa që kaloi Paokun në avantazh.
Sfida e Brondby Stadion mori edhe më shumë ngjyra kuqezi kur Elbasan Rashani barazoi shifrat për danezët. 22-vjecari me origjinë shqiptare realizoi një tjetër gol me fanellën e Brondby-it në Europa League pas dy finalizimeve ndaj skuadrës nga San Marino Juvenes Dogana në raundin e parë. Falë fitores 5-0 në ndeshjen e parë Paoku e pati të thjeshtë për të avancuar më tej.
Në fazën e grupeve të Europa League do të luajë për të dytin vit radhazi edhe Ansi Agolli. Qarabagu skuadra tek e cila luan mbrojtësi shqiptar pas fitores 1-0 në Zvicër kaloi me një 3-0 të pastër Yong Boys-in në sfidën e kthimit, me Agollin që qëndroi në fushë gjatë gjithë 90-minutëshit. Pjesë e grupeve të Europa League do të jetë edhe Herolind Shala.
Libereci i tij mundi edhe në takimin e kthimit po 1-0 Hajdukun e Splitit me Shalën që u aktivizua si titullar duke u larguar nga fusha në minutën e 63-të. Te Hajduku Elvir Maloku u fut në fushë si zëvendësues teksa mori vendin e Balic pas 34 minutash lojë. Ndërkohë Mirel Josa nuk do të jetë trajneri i vetëm shqiptar që do të marrë pjesë në fazën e grupeve pasi edhe Besnik Hasi me Anderlechtin e tij do të jetë pjesë e këtij kompeticioni që për tre edicionet e ardhshme do të transmetohet ekzkluzivisht në Supersport.
Friday, 28 August 2015 15:04