Ka mjaftuar një humbje, ndonëse e rëndë, që ekuilibri i brishtë në kampin e kundërshtarëve tanë të prishej. Bosnjë-Hercegovina duket në “luftë civile sportive” në brendësi të ekipit përfaqësues, pasi trajneri Safet Sushiç sulmoi ashpër yjet e skuadrës së tij pas disfatës 0-3 në Bukuresht ndaj Rumanisë, në Euro 2012.
“Ata mendojnë se janë lojtarë të klasit botëror, por e vërteta është se si lojtarë janë ende tek germa “l”, – ishin fjalët e para të trajnerit. Në Rumani mund të kishim pësuar edhe 3-4 gola të tjerë, sepse luajtëm shumë dobët dhe vetëm portieri Hasagiç na shpëtoi, duke qenë lojtari ynë më i mirë”.
Sushiç është i alarmuar në prag të ndeshjes ndaj Shqipërisë, duke deklaruar se nuk është i sigurt për asgjë. “Pas kësaj humbjeje, nuk di sesi do të mund të fitojmë ndaj Shqipërisë, – vazhdoi ai, – me të vërtetë që nuk e di. Me këtë nivel loje nuk mund të mundim as Luksemburgun, as këtë nuk e garantoj dot më”.
I acaruar nga mënyra e lojës së të tijve, që ai e quajti të turpshme, trajneri boshnjak pranoi se i sulmoi futbollistët në media para se t’ua thotë në sy atë që mendon. Por, siguroi për një gjë: “Do t’u them fjalë shumë më të rënda sesa këto që po them për mediat, pasi nuk kam frikë nëse nesër nuk do të jem në këtë detyrë. Madje, duhej t’ua kisha thënë më parë, por mendova se nuk ishte e nevojshme. Jam treguar budalla që u kam besuar disave prej këtyre lojtarëve”.
Gjithsesi, në skuadrën boshnjake e dinë mirë se mjafton një fitore ndaj Shqipërisë që gjendja të përmbyset sërish, këtë herë në të mirë të tyre, pasi Bosnjë-Hercegovina do të bëhej sërish favorite për vendin e dytë në grup.
Monday, 06 June 2011 09:32