Liderja e opozitës në Ukrainë, Julia Timoshenko, ka bërë të ditur se ka dërguar në Bashkimin Evropian dhe thuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare, fakte të pakundërshtueshme sesi Euro 2012 në Ukrainë ka shërbyer për të vjedhur miliarda euro.
Korrupsioni i përmasave të frikshme ka bërë që përgatitjet për Euro 2012 t’i kushtojnë shumë shtrenjtë shtetit ukrainas, ndërsa politikanët e përfshirë të pasurohen në mënyrë të jashtëzakonshme.
Sipas anëtarëve të opozitës, Timoshenko, edhe pse e burgosur vetë për akuzën e shfrytëzimit të detyrës me qëllim përfitimin gjatë kohës kur ishte kryeministre e vendit, u ka dërguar autoriteteve kombëtare anti-korrupsion si dhe autoriteteve ndërkombëtare, disa prova shkresore të pakundërshtueshme që vërtetonin marrjen e ryshfeteve nga politikanët vendas për Euro 2012.
Ajo ka bërë të ditur se kostoja aktuale e përgatitjeve për aktivitetin është 8 miliardë euro, 10 herë më shumë se sa është planifikuar të shpenzohej në vitin 2007. Rreth 30%-40% e kësaj shume ka përfunduar në xhepat e politikanëve të korruptuar të cilët kanë favorizuar firmat që të fitonin tenderët për shërbime të ndryshme, duke rritur njëkohësisht artificialisht edhe çmimet e shërbimeve. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 18:46