Franca ka treguar se është një nga skuadrat që duhet marrë në konsideratë për suksesin final në Euro 2012, pasi ka mundur 4-0 Estoninë në ndeshjen e fundit përgatitore para pjesëmarrjes në aktivitet.
Skuadra e Loran Blank ka shkëlqyer në fazën ofensive ku dyshja Riberi-Benzema ka qenë e pandalshme, duke dhuruar spektakël para tifozerisë franceze në stadiumin “MMArena” të Le Mansh.
Riberi shënoi golin e avantazhit në minutën e 24-t pas një kombinimi spektakolar me Benzema, ndërsa ky i fundit dyfishoi shifrat me një gjuajtje po aq të bukur pak para përfundimit të pjesë së parë të takimit.
Sulmuesi i Real Madrid gjeti rrugën e rrjetës përsëri që në minutën e parë të pjesë së dytë, pas një tjetër kombinimi me Riberi, ndërsa rezultati përfundimtar u vulos nga një gol i Menez në minutat shtesë të ndeshjes.
Kjo ishte ndeshja e 21-të radhazi që Franca merr rezultate pozitive, duke e bërë atë një prej ekipeve më në formë para fillimit të Euro 2012 dhe një kandidate serioze për të fituar këtë aktivitet. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 09:20