Tiranë – Organizmat ndërkombëtarë të futbollit, FIFA dhe UEFA, kanë vendosur të mbledhin në 12 maj një komision, i cili do të monitorojë situatën e Federatës së Futbollit të Bosnjes, e cila u pezullua në 1 prill nga këto dy organizma si pasojë e mospranimit të ndryshimeve në statut, të propozuara nga UEFA dhe FIFA.
Por, një shpresë për Bosnjen, kundërshtaren e radhës së Shqipërisë në eliminatoret e kampionatit Evropian të futbollit Euro 2012, që do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë, e kanë dhënë pikërisht FIFA dhe UEFA, të cilat kanë vendosur t’i japin një shans Federatës së Futbollit të Bosnjes të zgjedhë një president që t’i përfaqësojë të tria etnitë që përbëjnë këtë shtet.
Nga ana e saj Shqipëria ka nisur që tani përgatitjet për ndeshjen me Bosnje Hercegovinën, në program më 7 qershor në Zenica. Edhe pse Federata Boshnjake është e pezulluar nga FIFA dhe UEFA, në FSHF besojnë se ky dënim do të hiqet përpara fillimit të ndeshjeve eliminatore të Euro 2012. Për në Zenica është nisur një grup zyrtarësh të FSHF, që do të bëjnë prenotimin e hotelit si edhe do të shohin fushat e stërvitjes.
Ndërkohë një tjetër shqetësim për këtë takim është forma e lojtarëve të Kombëtares, pasi shumë kampionate ku luajnë futbollistët tanë më të mirë janë në përfundim e sipër dhe trajneri i ekipit tonë përfaqësues, Josip Kuzhe, ka filluar të mendojë për formacionin dhe sidomos për formën e tyre. Nëse kampionati përfundon dy javë para zhvillimit të ndeshjes, lojtarët rrezikojnë të humbasin formën e tyre më të mirë dhe kjo është e dëmshme në kuadër të një ndeshje kaq të rëndësishme për ekipin tonë kombëtar.
Nëse e kalojmë me sukses këtë sfidë, atëherë do të thotë se kemi bërë një hap të madh përpara, por në të kundërt, nëse humbasim, ëndrra jonë për të shkuar në Europian merr fund që tani dhe skuadrës do t’i duhet të mendojë thjesht për një pozicion më të mirë në klasifikim.
Aktualisht Shqipëria ndodhet në vend të tretë në grupin D eliminator, me tetë pikë, po aq sa Bjellorusia që mban vendin e dytë me golavarazh më të mirë. Bosnja ndodhet në vend të katërt me shtatë pikë.
Wednesday, 04 May 2011 16:27