Fanellat e lojtarëve që do të marrin pjesë në Euro 2012 janë të dëmshme për shëndetin dhe për ambientin pasi përmbajnë substanca toksike. Ky është rezultati i një kërkimi shkencor të Organizatës Evropiane të Konsumatorëve (BEUC), e cila ka testuar 9 fanella zyrtare të skuadrave. Përfundimi është shumë shqetësues pasi në të gjitha fanellat e këtyre kombëtareve janë gjetur “nivele alarmuese substancash kimike”.
“Plumbi, një metal i rëndë, është i pranishëm në fanellat e Italisë, Spanjës, Gjermanisë, Ukrainës, Rusisë dhe Francës”, thuhet në raportin e BEUC. Po sipas të njëjtit burim, Kristiano Ronaldo, Van Persi dhe shokët e tyre në kombëtaret e Portugalisë dhe Holandës, do të luajnë në fanella të cilat kanë në përbërje sasi shqetësuese nikeli.
Nonilfenoli, i cili mund të dëmtojë sistemin endokrin dhe ndalohet në burimet e ujit për shkak se dëmton ambientin, është gjendur në fanellat e Spanjës dhe Italisë.
Përveç lojtarëve që do të veshin këto fanella, kjo organizatë ka bërë apel edhe për të gjithë tifozët që dëshirojnë të blejnë dhe veshin bluza të njëjta me idhujt e tyre. Sipas BEUC, në dyqane duhet ndaluar shitja e fanellave të vendit organizator, Polonisë, pasi përmban një përbërje organike që përdoret për të ulur aromën e djersës, por që tejkalon disa herë nivelet e lejuara dhe mund të bëhet toksike për sistemin nervor.
Në fanellat e Spanjës dhe Gjermanisë, plumbi kalon nivelet e rekomanduara për prodhimet që destinohen për fëmijët. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 11:40