Samuel Eto’o është bindur që të kthehet përsëri në kombëtaren e Kamerunit, pas një takimi që kishte me kryeministrin e vendit afrikan, Filemon Jang.
Eto’o u pezullua nga Federata e vendit të tij në nëntorin e kaluar, pasi udhëhoqi një grevë të futbollistëve mbi vonesat në pagesat e bonuseve dhe parave që përfitonin për grumbullimin me kombëtaren. Pas përfundimit të pezullimit, lojtari 31 vjeçar refuzoi të luante në ndeshjen e një muaji më parë në kualifikueset e Kupës së Afrikës përballë Kepit të Gjelbër, në shenjë proteste, ndërsa Kameruni u mund 2-0.
Por pas një takimi ku ishin të ftuar edhe Ministri i Sportit të Kamerunit, menaxheri i kombëtares dhe trajneri i saj, Eto’o lajmëroi kthimin e tij në radhët e përfaqësueses të cilën vetëm pak kohë më parë e kishte cilësuar si amatore.
“Me kërkesën e autoritetit më të lartë të Republikës, unë e vë veten në dispozicion të “Luanëve të Pamposhtur”. Më jep më shumë kuraje dëshira për t’i shërbyer vendit tim më të njëjtin besim, dhe vendosmëri si 15 vite më parë. Këto ditë kam qenë në një takim me autoritetet më të larta të Kamerunit për të diskutuar zhvillimin e futbollit”.
“Jam i bindur se duke lënë në një anë interesa të tjera, për të mirën e vendit, jemi në gjendje t’i kthejmë futbollit të Kamerunit shkëlqimin e vjetër”, tha Eto’o i cili do të jetë përsëri kapiten në ndeshjen e kthimit ndaj Kepit të Gjelbër që luhet me 14 tetor, ku do të tentojë në ndeshjen e tij të 110-të me kombëtaren të kalojë shifrën e 53 golave të shënuar me të deri tani. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 September 2012 17:01