Elbasan – Ditën e hënë pritet që ekipit verdheblu të Elbasanit t’i bashkohen edhe dy futbollistë të huaj. Këtë fakt e bën të ditur sekretari i klubit futbollistik të Elbasanit, Florenc Kushi, i cili tha për ATSH-në se, “ata janë dy mbrojtës nga Maqedonia të cilët kanë luajtur me ekipe të njohura në shtetin fqinj, ndërsa kemi menduar që të kalojnë fillimisht një test prove me Elbasanin, në mënyrë që të bëhet një vlerësim sa më real i nivelit të tyre në të gjitha aspektet”.
Në Futboll Klub Elbasani, gjatë javës që lamë pas, pati disa zhvillime pozitive përsa i takon çështjes së nënshkrimit të kontratave të reja. Pak më herët Kushi njoftoi për zyrtarizimin e kontratave të disa futbollistëve mes të cilëve është edhe Eriol Merxha, ish- kapiteni i Elbasanit në kampionatin e fundit të Superligës.
Mësohet se ekipi, nën drejtimin e trajnerëve Ilirjan File dhe Muharrem Dosti, do të fillojë përgatitjet për edicionin e ri sportiv 2011-2012. Sipas Kushit, “seanca e parë stërvitore do të zhvillohet në fushën e kompleksit sportiv “Shefqet Lamçe” në orën 18.00 të ditës së hënë”.
Fillimi i përgatitjeve ishte parashikuar që të niste rreth një javë më parë, por u shty përkohësisht pasi synohej që gjatë ditëve të fundit të zyrtarizoheshin te Elbasani disa kontrata të reja, me një pjesë të bërthamës së verdhebluve gjatë viteve të fundit.
Sunday, 17 July 2011 17:28