Një numër i madh lojtarësh me origjinë turke, të lindur në Gjermani, kanë vendosur të braktisin vendin e origjinës dhe të zgjedhin të luajnë për shtetin “adoptues” pavarësisht interesimit të trajnerit të kombëtares turke, Abdullah Avçi.
Sipas një raporti të “Bild”, lojtarët e kombëtares U-17 të Gjermanisë Emre Çan, Korai Gunter, Samed Jesil, Korai Kaçinoglu, Robin Jalçin, Kan Aihan, Levent Aiçiçek dhe Okai Aidin, kanë vendosur të luajnë vetëm për Gjermaninë.
Avçi do të vizitojë vendin perëndimor të premten me dëshirën që t’i bindë këto futbollistë që të zgjedhin të luajnë për vendin e origjinës së tyre, por sulmuesi i Leverkusenit, Jesil, tha se trajneri i Turqisë po humb kohë kot.
“Unë dua të bëhem një lojtar i Kombëtares A të Gjermanisë. Takimi me Avçi nuk do të ndryshojë asgjë”, tha ai.
Emre Çan i Bajernit të Mynihut dhe Korai Gunter i Borusias së Dortmundit ndajnë të njëjtin mendim dhe nuk kanë interes të luajnë për Turqinë.
Korai Kaçinoglu i Këlnit ishte mëse i qartë në deklaratën e tij: “Nuk dua të punoj me kombëtaren e Turqisë. Zgjodha Gjermaninë dhe kjo nuk do të ndryshojë”. Të njëjta ishin edhe fjalët e mesfushorit të Shtutgartit, Robin Jalçin.
Të vetmit lojtarë që kanë një luhatje të vogël janë Kan Aihan i Shalkes dhe Levent Aiçiçek i Verder Bremen, të cilët bënë të ditur se mund të zgjidhnin Turqinë, nëse karriera e tyre me Gjermaninë nuk do të kishte sukses. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 15:02