Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka pranuar se Edin Xheko mund të largohet nga skuadra që ai drejton në fund të këtij sezoni. 26 vjeçari ka shënuar 12 gola në 23 ndeshjet që ka luajtur në këtë sezon por kjo statistikë duket se nuk kënaq asnjë nga të dy palët.
“Edin është një lojtari i rëndësishëm për ne. Por në qershor gjithçka mund të ndodhë. Nëse një lojtar më kërkon të largohet, atëherë do të vlerësojmë situatën dhe këtë e them për të gjithë lojtarët”, pranoi Mançini. “Sipas meje, Xheko është një lojtar i madh, në Itali ai do të shënonte më shumë se 20 gola në sezon. Por ai do të kushtojë më shumë se 20 milion euro për këdo që e kërkon”.
Me sa duket, Mancini po mundohet të largojë sulmuesin për të bërë vend në skuadër për malazezin Stevan Jovetiç, të cilin po e monitoron nga afër, sipas asaj që është konfirmuar nga një prej pjesëtarëve të stafit teknik të Fiorentinës, Anxhelo Greguçi.
“Është e qartë se Siti, por edhe shumë klube të tjera në Evropë po ndjekin Jovetiç, pasi ai është një nga lojtarët më të talentuar në Evropë”, konfirmoi ai për “Radio Toscana”, duke hapur spekulime të reja për të ardhmen e lojtarit. (LajmeShqip.com)
Friday, 08 March 2013 09:47