Lukas Podolski i është bashkuar Teo Uollkot në ankesat ndaj Arsen Venger, pasi mendon se trajneri francez i Arsenalit po e përdor larg pozicionit të tij natyral në fushën e lojës. Futbollisti gjerman ka luajtur në krahun e majtë të sulmit të ndërtuar nga trajneri i “Topçinjve”, duke shënuar 4 gola në këtë sezon.
Por ashtu si Uollkot, edhe 27 vjeçari që u ble nga Këlni gjatë verës, pretendon që të luajë si sulmuesi i vetëm në formacionin 4-2-3-1 që aktivizon zakonisht Venger.
“Mua do të më pëlqente më shumë që të luaja si sulmues i avancuar. Në krahun e majtë jam i detyruar të bëjë shumë punë mbrojtëse, duke qenë vazhdimisht në vrapim poshtë e lart. Por unë nuk jam një mesfushor krahu klasik”, deklaroi ai, duke bërë të qartë se një stil i tillë loje nuk i përshtatej.
Venger nuk është i vetmi që mendon se Podolski mund të luajë si mesfushor krahu. Edhe në radhët e përfaqësueses gjermane ai ka luajtur shpesh në një pozicion të tillë nën drejtimin e Joakim Lëv. Por nëse ky i fundit ka vendosur që ta ulë shpesh në pankinë futbollistin, Venger insiston ta mbajë në fushë, pasi është i bindur se sulmuesi mund të jetë rezultativ edhe në këtë pozicion të ri. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 November 2012 09:30